Romney: Obama dështoi në politikën e jashtme

08/10/2012 21:35

Kandidati republikan për president në SHBA, Mitt Romney, bëri thirrje për një “ndryshim kursi” në politikën amerikane në Lindjen e Mesme, duke kritikuar kështu qëndrimet e politikës së jashtme të Presidentit Obama.

Duke folur nga Virxhinia, Romney kritikoi ashpër Shtëpinë e Bardhë për sulmin e ndodhur në Libi, ku mbeti i vrarë edhe ambasadori amerikan, Christpher Stevens.

Katër javë përpara zgjedhjeve, sondazhet tregojnë se votuesit kanë ende një vlerësim më të lartë për politikën e jashtme të Obamës, avantazh të cilin duket se kandidati republikan përpiqet të përmbysë.

“Sulmi ndaj selisë tonë diplomatike nuk është një episod rastësor dhe SHBA nuk duhet t’i konsiderojë si akte të zakonta. Ai atentat ishte shprehje i një lëvizje të thellë që po ndodh në Lëvizjen e Mesme, një rajon që është duke përjetuar krizën më të thellë të shekullit. Ky incident nuk lidhet me videon anti-islam, por vetëm me përpjekjen e administratës për ta kaluar si të tillë”, deklaroi Romney.

Sipas kandidatit republikan, duhet të përshtatet një qëndrim më i ashpër ndaj ngjarjeve destabilizuese që po ndodhin në Lindjen e Mesme.

“Shpresa e Obamës nuk është një strategji. SHBA është duke humbur një mundësi historike për të fituar miqtë të rinj që ndajnë vlerat tona të përbashkëta në Lindjen e Mesme. Për hir të paqes botërore, duhet të bëjmë të qartë se retorika jonë ndaj Iranit nuk bazohet vetëm në fjalë, por në qëndrime konkrete dhe se nuk do të hezitojmë për të ndaluar me çdo mënyrë shndërrimin e Iranit në një kërcënim bërthamor”.

Gjithashtu, Romney akuzoi Obamën se nuk ka mundur të adresojë çështjen siriane, ndërsa sugjeroi se në rast të ardhjes së tij në pushtet, do të mbështesë kryengritësit me armë dhe municione për të luftuar ushtrinë e Bashar al-Assad.

Top Channel