
Kryeministri Sali Berisha ka hequr një paralele mes krizës së sotme ekonomike europiane me piramidat e vitit 1997 në Shqipëri.
Duke folur në Forumin Ndërkombëtar për Demokracinë që zhvillohet nga Këshilli i Evropës në Strasburg, kreu i qeverisë shqiptare tha se shkaku i reçesionit të sotëm europian janë elitat bankare.
“Nga mesi i viteve ‘90, shqiptarët humbën kursimet e tyre në skemat Ponzi dhe fonde investimi. Në atë kohë Shqipëria kishte një vakum të plotë të ligjeve që i ndalonin ato. Por, 10 vjet më vonë, nuk ishte Shqipëria që u përball me këtë lloj krize, por disa vende perëndimorë shumë të zhvilluara u përballën në mënyrë identike me atë çfarë u përball Shqipëria në vitet ’90. Në këtë rast nuk ishte vakumi ligjor i këtyre vendeve. Ajo që ndodhi ishte se elita financiare dhe bankare dominoi ligjet, i bëri bordet të heshtin për të mbrojtur interesat e tyre egoiste. Në këtë rast, një disfunksionim i shtetit ligjor ishte në themel të krizës që ishte një lloj krize si ajo e skemave piramidale shqiptare”, deklaroi Berisha.
“A ka nevojë tregu për demokracinë dhe anasjelltas”. Është kjo tema që po analizohet në forumet ekonomike të Strasburgut, ku në kushtet e krizës ekonomike ndërkombëtare ky sistem po vihet në pikëpyetje. Kryeministri Berisha shprehu besimin te demokracia, por ai tha se ka sjellë disa prishje të tregut.
“Le të shikojmë Evropën sot. Jemi këtu në një nga rajonet më të begata, por 11% e njerëzve të botës janë duke konsumuar 50% të faturës sociale të botës, në një kohë kur ata po prodhojnë rreth 17% të GDP-së të botës. A është i mbingarkuar tregu në këtë rast? Duket se po. Problemi që shtrohet është se elitat qeveritare duhet të ndërmarrin reforma shumë serioze, opinioni publik nuk është shumë mbështetës, sepse nuk janë të bindur se festa mbaroi. Sistemi ka potencial për t’u reformuar prandaj besoj se ai është më i mirë, dhe ta vendosësh në pikëpyetje është e gabuar”, u shpreh Berisha.
Forumi ekonomik ndërkombëtar ka nisur të mbahet në Strasburg në datën 5 tetor dhe do të vijojë deri në datën 11. Në të do të trajtohen një seri temash për demokracinë dhe të ardhmen e saj, me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara ndërkombëtare.
Top Channel