Turqia, paralajmërime të reja Sirisë

07/10/2012 08:30

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, i dha një paralajmërim të ri Sirisë, pasi incidentet kufitare hynë në ditën e pestë radhazi gjatë së dielës.

Sipas mediave turke, ushtria siriane është duke bombarduar pozicione deri 20 metra nga kufiri turk, duke shkaktuar panik dhe vendosur nën rrezik popullsinë që jeton pranë kufirit, e kërcënuar nga ciflat e predhave apo ndonjë gabim i mundshëm në shënjestër.

Damasku zyrtar është duke realizuar një operacion “krahëmarrje”, me qëllim që të pengojë furnizimin e kryengritësve nga territori turk, ndërsa duket se regjimi i Al-Assad nuk është frikësuar nga kërcënimet e Turqisë.

”Sigurojmë se çdo sulm i ardhshëm ndaj Turqisë do të heshtet në mënyrë të menjëhershme”, u shpreh ministri Davutoglu, në reagimin e Ankarasë zyrtare.

Aktualisht, forcat turke janë vendosur në kufi dhe realizojnë raprezalje me artileri brenda territorit sirian. Pasi pesë shtetas turq humbën jetën kur banesat e tyre në qytetin pranë kufirit të Akçakales u goditën gabimisht me mortaja, Parlamenti Turk miratoi një ligj që autorizon ushtrinë të realizojë ndërhyrje brenda Sirisë për një vit radhazi.

Ndërkohë, në luftimet pranë qytetit të Homsit, duket se kryengritësit zunë peng togerin Housam Assad dhe dy prej ndihmësve të tij.

Assad besohet se është një kushëri i afërt me presidentin Bashar. Sipas burimeve të pakonfimuara në mënyrë të pavarur prej mediave ndërkombëtare, luftimet vazhdojnë të ashpra gjatë së dielës, pasi të paktën 110 persona u vranë të shtunën në të gjithë vendin.

Top Channel