Artileria turke vazhdon të godasë ushtrinë siriane, për të pestën ditë me rradhë, pas sulmit në fshatin kufitar te Akcakales, ku të meëkurën, humbën jetën pesë civilë.
Predhat e ushtrisë së Damaskut, të dielën, ranë pranë një ndërtese publike në afërsi të qendrës së fshatit, por sic raporton televizioni turk NTV, nuk pati viktima sepse banorët e Akcakales janë shpërngulur. Fill pas kësaj ushtria turke u kundërpërgjigj.
Sipas raportimeve të pakonfirmuara, kryengritësit sirianë morën një postë kufitare të ushtrisë, pranë provincës kufitare turke te Hatait. Përleshjet mes palëve kundërshtare në këtë zonë janë intensifikuar.
Bashkësia ndërkombëtare dënoi me forcë incidentin e së mërkurës në Akcakale. Këshilli i Sigurimit, përmes një projekt/resolute, tha se “ngjarja dëshmon ndikimin e rëndë të krizës në stabilitetin dhe paqen e rajonit”.
Një ditë pas saj, parlamenti turk autorizoi operacionet e ushtrisë përtej kufirit si dhe goditjen e shenjestrave siriane, përgjatë një viti. Të premten, Turqia zhvendosi tanket dhe kundra-ajrorët në Akcakale, megjithëse kryeministri turk, Rexhep Taip Erdoan tha se vendi i tij nuk kërkon luftën me fqinjin, dikur aleat i vendit të tij.
Në Alep po intensifikohet beteja mes ushtrisë siriane dhe kryengritësve. Agjensia franceze e lajmeve AFP raportoi se avionet ushtarakë vunë në shënjestër dhe bombarduan, lagjet nën kontrollin e kryengritësve, Bab al-Hadid dhe Shaar. Trupat pro-qeveritare vazhdojnë ofensivën në Damask dhe Homs.
Sipas aktivistëve siriane mbi 30 mije persona kanë humbur jetën gjatë kryengritjes kundër presidentit Bashar Al Asad, e cila nisi marsin e vitit të kaluar, sipas OKB-së numri i viktimave është 20 mijë të vrarë.
Top Channel