Mignon: Drejtësi për 21 janarin

07/10/2012 20:00

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, francezi i djathtë Jean-Claude Mignon, rendit kujtesa personale e lavde për Shqipërinë, dhe për arritjet e vendit që prej rënies së komunizmit. “Por Shqipëria mbetet ende në procedurën e ndjekjes nga KiE”, thotë në një intervistë ekskluzive për Top Channel, Mignon, i cili flet dhe për korrupsionin, 21 janarin dhe zgjedhjet.

TCH: Z. President, çfarë sjell Shqipëria me këtë Presidencë në Këshillin e Evropës?

Jean Claude Mignon, President i Asamblesë Parlamentare të KiE-s, PPE:
“Ajo që sjell presidenca shqipëtare në Këshillin e Evropës ? Është gjigande, gjigande. Unë kam shkuar për herë të parë në Shqipëri në vitin 1990, dhe rastësia e kalendarit bën që unë të kryesoj Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në të njëjtën kohë që Shqipëria kryeson Komitetin e Ministrave. Eshte e jashtëzakonshme. Si koinçidencë është absolutisht e jashtëzakonshme. Dhe jam i mirëpozicionuar për të parë përpjekjet dhe përparimet që janë bërë në Shqipëri që prej viteve 1990, e veçanërisht më pas kur Shqipëria u bë një vend dhe një demokraci e vërtetë. Presidenca shqiptare ka sjellë në mënyrë të pakundërshtueshme shumë gjëra, pasi është  një vend që tenton me shumë rreptësi, e me një vullnet shumë të fortë , që t’u përgjigjet aspiratave dhe detyrimeve të kontraktuara me angazhimin dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Sigurisht që disa do t’ju thonë që nuk është ecur mjaftueshëm shpejt dhe se Shqipëria nuk është ende perfekte, se ka korrupsion e gjëra të tilla. Por besoj se drejtuesit shqiptarë janë të vetdijshëm për të gjitha këto”.

TCH:
Përfshirë korrupsionin po thoni?

Mignon:

“Besoj se tashmë qeveria shqipëtare, apo qeveritë shqipëtare, kanë vendosur disa procedura për të luftuar kundër gjithë këtyre, dhe kjo nuk bëhet për një ditë e me të kërcitur gishtat. Në Francë themi se Parisi nuk është bërë brenda një dite, e mendoj se demokracia në Shqipëri nuk bëhet brenda disa javësh apo për disa vite. Vendi ka një të kaluar dhe një mbingarkesë që në nisje, që duhet marrë gjithashtu në konsideratë. Dhe për këtë arsye Shqipëria është në procedurën e ndjekjes, e prandaj sot Shqipëria duhet t’i japë llogari Këshillit të Evropës, i cili nuk është aty për të dënuar këdoqoftë, apo për të vënë nën tutelë, apo për të turpëruar ndonjë vend të caktuar. Procedura jonë e ndjekjes, është një procedurë që synon të sjellë ndihma, asistencë e këshilla ndaj cilitdo vend, e Shqipëria po përfiton nga kjo. Ajo drejtoi Komitetin e Ministrave, dhe e drejton akoma për disa javë, me disa prioritete të forta , e mendoj se Shqipëria do të ketë bërë një kryesim të shkëlqyer”.

TCH: Së bashku me Ministrin e Jashtëm shqiptar ju do vizitoni vendet arabe. E keni dënuar qëndrimin e disa qeverive atje ndaj protestuesve, por cili është qëndrimi juaj për zhvillimet tragjike të 21 janarit në Shqipëri, ku katër protestues u vranë nga Garda e Republikës
 
Mignon:

“Mendoj se sot, qeveria shqiptare duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e saj në lidhje me këtë çështje, dhe të bëjë thjesht të mundur që drejtësia të vihet në vend, si dhe  të ketë dënime, në rast se ka persona që duhet të dënohen.”

TCH:
Po përsa i takon zgjedhjeve? Asamblea Parlamentare miratoi këtë javë një raport për zgjedhje më demokratike, e Shqipëria aty përmendet përkrah Azerbajxhanit e Armenisë, e jo përkrah vendeve më demokratike.

Mignon:

“Raportuesi për ndjekjen e situatës në Shqipëri është një zotëri që quhet Björn von Sydoë, dhe që është një raportues i shkëlqyer. Ka qenë kryetar i Komisionit për çështjet politike e ka pasur përgjegjësi të rëndësishme në vendin e tij, në Suedi.  Eshtë parashikuar që ai të shkojë së afërmi në Shqipëri, në fund të muajit tetor me sa kujtoj, ku duhet të shkojë për të parë të gjitha detajet pikërisht mbi zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen. E për momentin unë nuk mund të bëj asnjë deklaratë mbi këtë, së pari sepse nuk do të ishte e sjellshme ndaj raportuesit në fjalë, por është mëse evidente që unë do ta ndjek këtë çështje nga shumë afër”.
 
Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA