Venezuelë, mbyllet fushata zgjedhore

05/10/2012 09:05

Dy kandidatë për president në Venezuelë iu adresuan turmave të mëdha të njerëzve në ditën e fundit të fushatës së tyre, të premten, përpara mbajtjes së zgjedhjeve të ditës së dielë.

Presidenti Hugo Chavez, përpara dhjetëra mijëra mbështetësve në kryeqytetin Karakas u shpreh se ka nevojë për një mandat të tretë për të konsuliduar reformat e tij sociale.

Nga ana e tij, kandidati i opozitës, Henrique Capriles, premtoi stimulimin e rritjes ekonomike dhe mirëqeverisje për të gjithë venezuelianët.

Rreth 19 milionë banorë do të kenë të drejtë vote, në zgjedhjet që sipas sondazheve duhet të përcaktohen nga një rezultat i ngushtë.

Duke mbajtur një fjalim të fundit nën një shi të pandërprerë, Chavez deklaroi se zgjatja e mandatit është thelbësore për “të goditur përfundimisht varfërinë” në vendin e Amerikës së Jugut, të pasur me rezerva të shumta nafte.

Megjithatë, një politikan karizmatik, 40-vjeçari Capriles është bërë gjithmonë e më popullor në sondazhe. “20 vjet në pushtet është shumë. Asnjë njeri nuk mund të ketë një energji të tillë për t’ia dalë mbanë me sukses”, deklaroi njeriu i mbështetur nga 20 parti të opozitës, duke iu referuar presidentit Chavez.

Top Channel