Trupat turke kanë nisur grumbullimin në kufirin me Sirinë, pak pasi parlamenti i vendit autorizoi operacionet ndërkufitare si përgjigje ndaj sulmit me mortaja nga territori i vendit fqinj që mori 5 jetë njerëzish në Turqi. Tre nga viktimat ishin të mitur.
Autorizimi i asamblesë, i kaluar me 320 vota pro e 129 kundër, lejon edhe goditjen e shënjestrave siriane. Por zëvendëskryeministri Besir Atalay këmbënguli të sqaronte se bëhet fjalë për një akt frikësues e jo një mandat lufte.
“Ky nuk është një memorandum lufte, të jemi të qartë. Është një demonstrim force, një masë frikësuese e ndërmarrë në bazë të interesave të Turqisë për t’u vënë në jetë atëherë kur është e nevojshme mbrojtja e vendit. Turqia kërkon vetëm të mbrojë të drejtat e saj”, tha Besir Atalay, zëvendëskryeministër i Turqisë.
Turqia ka vazhduar goditjen e objektivave brenda Sirisë që prej vrasjes së pesë civilëve në Akcakale nga predhat siriane. Përgjigja e Ankarasë shënon të parën herë që ajo hap zjarr brenda territorit të vendit fqinj që nga fillimi i konfliktit 18 mujor në Siri, i cili është bërë shkas, ndër të tjera, edhe për ftohjen e marrëdhënieve mes dy ish-aleatëve.
Një grup aktivist sirian me seli në Britaninë e Madhe thotë se nga zjarri turk janë vrarë disa ushtarë sirianë, gjë që nuk konfirmohet nga Damasku.
Atalay sqaroi se Siria e ka pranuar përgjegjësinë për vdekjet në qytetin turk, ka kërkuar ndjesë e siguron se një incident i tillë, nuk do të përsëritet më.
Masa që lejon veprimet ushtarake nga ana e Turqisë, nëse kërkohen nga qeveria, do të jetë në fuqi për një vit. Megjithatë, sipas numrit dy të ekzekutivit turk, prioriteti kryesor është të veprohet në koordinim me organizmat ndërkombëtare.
Këshilli i Sigurimit hartoi një rezolutë ku dënonte bombardimet siriane, duke i cilësuar shkelje të ligjit ndërkombëtar, por Rusia, aleatja më e madhe e Sirisë, e bllokoi tekstin dhe në vend të tij, propozoi një tjetër, i cili nuk përmend ligjin ndërkombëtar, por thjesht kërkon nga palët të tregohen të përmbajtura.
Top Channel