SHBA, rënie surprizë e papunësisë

05/10/2012 15:55

Papunësia në Shtetet e Bashkuara ra muajin e kaluar në kuotën më të ulët që prej janarit të vitit 2009, me shifrat e publikuara nga Departamenti i Punës, që kanë habitur analistët që ishin skeptikë.

Muajin e kaluar kuota arriti në 7.8 për qind nga 8.1 për qind që ishte në muajin gusht.

Të dhënat e fundit tregojnë gjithashtu se ekonomia amerikane shtoi 114 mijë vende të reja pune në muajin shtator, më shumë nga sa pritej duke parë gjendjen e tregjeve.

Tregu i vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara është një çështje kyçe në fushatën presidenciale. Kur kuota e papunësisë ishte kaq e ulët, presidenti Barack Obama sapo do të merrte drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Por kandidati republikan Mitt Romney ka mbetur skeptik duke thënë se nuk bëhet fjalë për një rimëkëmbje të vërtetë të ekonomisë, por për shifra të falsifikuara.

“Nuk duket një rimëkëmbje e vërtetë. Kuota e vërtetë e papunësisë është rreth 11 për qind. Të dhënat mbi rënien e saj janë falsifikuar nga ata që kanë rreshtur së kërkuari punë dhe kanë lënë popullsinë aktive”, ka deklaruar Romney.

Ndërkohë, ekonomisti Sean Incremona nga Nju Jorku thotë se të dhënat e fundit tregojnë se ekonomia amerikane ka mbetur e ndrydhur.

“Në përgjithësei ne jemi ende në kërkim të një panorame që nuk është as shumë impresionuese dhe as shumë e tmerrshme”, ka deklaruar Incremona.

Ndërsa ekonomisti tjetër, Omer Esiner, ekonomia muajin që kaloi ka qenë më në ngjitje. “Parulla e ditës është e qartë, rënia e kuotës së papunësisë, që është një surprizë e madhe”, ka thënë Esiner.

Top Channel