Putin kultivon personalitetin e një lideri

05/10/2012 15:15

Presidenti rus, Vladimir Putin feston të dielën 60 vjetorin e lindjes së tij dhe në këtë përvjetor janë parashikuar festime mbarëkombëtare.

Vetë presidenti, që pas një manovre ligjore të kritikuar ashpër nga opozita ruse, siguroi mandatin e tretë (pas dy të parëve radhazi) do të udhëtojë drejt qytetit të lindjes, Shën Peterburg ku do të organizohet një ceremoni festive me familjarët dhe miqtë, përfshirë këtu bashkëpunëtorët ndërkombëtarë, ndoshta edhe ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi.

Por vec kësaj, jetë të gjatë “carit” do t’i urojnë të gjithë rusët, nga Kaliningradi në perëndim e deri në Vladivostok në kufi me Korenë e Veriut dhe Kinën në lindje. Në shumë qytete pritet të mbahen koncerte dhe panaire të ndryshme ku vec urimeve do të ofrohen edhe dhuratat për presidentin.

Ndërsa televizionet pranë pushtetit rus pritet të transmetojnë një dokumentar mbi jetën e Putin, që nga lindja, vitet e angazhimit në agjencinë e inteligjencës së ish-Bashkimit Sovjetik KGB, ngjitja në krye të Kremlinit duke pasuar Boris Jelcin më 31 dhjetor të 1999-ës, udhëheqja për dy mandate radhazi e Rusisë, lëshimi i presidencës për katër vjet në duart e Medvedev e deri tek rifitimi i “besimit popullor” në zgjedhjet e fundit presidenciale.

Analistët ndërkombëtarë dhe opozitarët rusë komentojnë  festimet si përpjekje për kultivimin e kultit të personit në Rusinë post-sovjetike dhe një hap drejt një neodiktature të Moskës.

Top Channel