Një “Pasdite” me Eno Koçon

05/10/2012 18:30

Eno Koço ishte i ftuari i radhës në emisionin “Pasdite në Top Channel”, ku foli për jetën dhe karrierën e tij si dirigjent në Lids të Anglisë.

I biri i baritonit të njohur Kristaq Koço dhe sopranos së madhe Tefta Tashko-Koço, Eno punoi për 19 vjet si dirigjenti kryesor i Shkollës së Muzikës në Universitetin e Lidsit.

“Të dirigjuarit është një proces që ka lindur dekada më parë dhe vështirë të shpjegohet shkurt. Dirigjenti luan një rol të madh në orkestër. Një dirigjent duhet të ketë shumë elemente dhe më pak i rëndësishmi është lëvizja e duarve. Duhet të jesh fleksibël, të njohësh mirë muzikën dhe të komunikosh me orkestrën në mënyrë harmonike. Këto janë vetëm disa nga elementët që duhet të ketë një dirigjent i mirë”, shpjegon Eno Koço.

Në lidhje me muzikën e lehtë shqiptare, dirigjenti thekson se ajo u gjallërua pas viteve ’90: “Muzika e lehtë mori hov pas viteve ’90, kur u rrit niveli i këngëtarëve, inçizimeve dhe u ndërtuan studiot që rritën cilësinë e kësaj muzike.”

Në lidhje me fëmijërinë e tij, Eno u shpreh: “Prindërit më lanë kur isha shumë i vogël. Nëna ndërroi jetë kur isha katër vjeç e gjysmë, ndërsa babai kur mbusha gjashtë. Ka qenë periudhë shumë e vështirë për mua, me shumë gjëra të papëlqyeshme, por kjo jetë më bëri më të fortë.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA