Kubë, arrestohet blogerja disidente

05/10/2012 20:50

Blogerja disidente kubaneze Yoani Sanchez është arrestuar në qytetin e Bajamos, në lindje të Kubës, ka bërë të ditur një faqe interneti pro-qeveritare.

Sanchez është e njohur për vënien në dukje të çështjeve që prekin rininë kubaneze në ishullin e qeverisur nga komunistët.

Ajo u arrestua teksa shkonte për të parë një gjyq të Angel Carromero, i cili akuzohet për keqtrajtim lidhur me vdekjen e opozitarit të njohur Oswaldo Paya.

Profili i Sanchez në rrjetin social Twitter nuk është përditësuar që prej së enjtes dhe korrespondentja e BBC në Havana, Sarah Rainsford deklaroi se numri i celularit të saj ishte i paarritshëm.

Mesazhet e fundit në Twitter ishin dërguar teksa ajo ndodhej rrugës për të vajtur në gjyqin e Carromero.

Faqja pro-qeveritare Yohandry.com thotë se Sanchez u arrestua me bashkëshortin e saj sepse po planifikonin “një shfaqje mediatike provokuese” që mund të vinte në rrezik besueshmërinë e gjyqit.

Carromero ndodhet nën kujdesin e policisë që prej datës 22 korrik, kur makina e drejtuar prej tij goditi një pemë dhe u përmbys, duke vrarë Osëaldo Paya dhe aktivistin tjetër Harold Cepero.

E njëjta faqe interneti akuzon gjithashtu zonjën Sanchez për përpjekje për manipulimin e së vërtetës së aksidentit të zotit Carromero.

Top Channel