KLD pezullon gjyqtarin Neritan Tabaku

05/10/2012 00:00

Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Këshillit të Lartë të Drejtësisë u mor vendimi për heqjen e imunitetit dhe pezullimin nga detyra të gjykatësit Neritan Tabaku që dyshohet se ka vonuar qëllimisht zbardhjen e vendimit që liroi Ilir Xhakjan, vrasësin e Shefit të Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj.

Vendimi u mor me kërkesë të Prokurorisë pasi kjo e fundit e ka regjistruar emrin e gjyqtarit në regjistrin e çështjeve penale për dyshimet se ai mund të ketë shpërdoruar detyrën. Heqja e imunitetit të gjyqtarit Tabaku do t’i hapë rrugë hetimeve të mëtejshme nga njësia Task Force e cila nuk mund ta thërriste gjyqtarin për ta pyetur për shkak të mbrojtjes ligjore. Ai dyshohet  për vonesa të qëllimshme në zbardhjen e vendimit të pafajësisë dhënë për Ilir Xhakjan.

Ilir Xhakja ekzekutoi me armë zjarri kryekomisarin e Shijakut në datën 13 shtator. Një ditë më pas ai në pamundësi për t’u arratisur u vetëdorëzua në polici.

Gjatë hetimeve për motivet e vrasjes së kryekomisarit, hetuesit ranë në gjurmët e precedentëve penalë të Ilir Xhakjas. Ai akuzohej për vrasje, kërcënime dhe trafik, vepra të nisura që nga viti 1994.

Ilir Xhakja është shpallur fillimisht fajtor nga Krimet e Rënda dhe është dënuar me 21 vjet burg për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku. Ky vendim ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit dhe është prishur në vitin 2009 nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me argumentimin se kjo akuzë që i atribuohet të pandehurit sipas ligjeve në fuqi nuk është në kompetencë të Krimeve të Rënda, por e Gjykatës së Rrethit.

Pasi cështja është rishqyrtuar në shkallën e parë në Durrës nga gjykatësi Neritan Tabaku, ai i ka pushuar akuzat e tjera duke lënë vetëm atë të armëmbajtjes pa leje dhe e ka dënuar me kohën e paraburgimit  duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm nga burgu. Zbardhja e këtij vendimi nuk u publikua asnjëherë dhe kjo zvarritje pengoi prokurorinë që të apelonte cështjen.

KLD mori vendim edhe ndaj një gjykatësje, e cila pas verifikimeve që ka bërë ky institucion në dosjet e saj, ka zbuluar se ajo shpallte data gjyqesh në mënyrë fiktive edhe në kohën kur ishte jashtë vendit për të mos rënë në sy që nuk ishte prezente në punë.

Top Channel