Jordani, populli proteston për reforma

05/10/2012 21:30

Dhjetëra mijëra persona kanë marrë pjesë të premten në një manifestim në qendër të Amanit, në Jordani, për të kërkuar reforma politike dhe luftë korrupsionit.

Protesta ishte organizuar nga Vëllezërit Myslimanë dhe opozita e majtë, dhe sipas tyre pjesëmarrësit kanë qenë rreth 50 mijë.

Protesta është mbajtur gjithashtu një ditë pas vendimit të mbretit Abdullah për të shkrirë parlamentin dhe për të mbajtur zgjedhje të parakohshme.

Bëhet fjalë për tubimin më të madh protestuese që nga nisja vitin e kaluar të demonstratave të përjavshme që përsëriten pothuajse çdo të premte.

Krahu politik i Vllazërisë Myslimane, Fronti Islamik i Veprimit, kërkon ndryshimin e Kushtetutës së vendit. Ky grup deklaroi se do të bojkotojë zgjedhjet derisa sistemi politik i vendit të rinovohet, thënë më qartë, që kryeministri të zgjidhet dhe jo të caktohet nga mbreti.

Sipas këtij grupi, përpjekjet e deritanishme të mbretit Abdullah për reforma nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Kësisoj, Fronti Islamik i Veprimit kërkon ndryshimin e disa neneve të Kushtetutes për formimin e qeverisë.

Mbreti Abdullah premtoi se pas zgjedhjeve kryeministri i ardhshëm i vendit do të dalë nga Parlamenti. Jordania ka shmangur trazirat dhe përmbysjen politike që përfshiu botën arabe.

Megjithëse në vend janë regjistruar protesta, ato kanë qenë grumbullime të vogla dhe nuk kanë mundur të arrijnë kulmin politik, siç ndodhi në Egjipt apo Libi.

Megjithëse mbreti Abdullah e prezanton veten si një forcë bashkuese në Jordani, krahu politik i Vllazërisë Myslimane ndikohet nga suksesi i partive islamike në Egjipt apo Tunizi.

Top Channel