Itali, protesta të dhunshme anti-krizë

05/10/2012 16:25

Gjithmonë e më shumë Roma po ngjason me rrugët e Athinës për shkak të protestave kundër masave anti-krizë të qeverisë së Mario Montit.

Qindra të rinj, shumica studentë, dolën në rrugët e kryeqytetit italian me moton “Të rimarrim qytetin”. Protesta, e parashikuar fillimisht paqësore, u pasua nga përleshje të dhunshme me policinë kur të rinjtë e grumbulluar nisën aktet vandale nëpër rrugë duke tentuar të djegin goma e makina si dhe të thyejnë xhamat e dyqaneve.

Forcat e sigurisë ndërhynë duke përdorur gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë turmën. Dhjetra të rinj, një pjesë e mirë e të cilëve nga 15 deri në 18 vjeç u arrestuan për t’u lënë të lirë vetëm pas verifikimeve të nevojshme.

Nga përleshjet u regjistruan vetëm disa të rinj me plagë të lehta, ndërkohë që protesta pati edhe në Torino e Milano, po nga të rinj të organizuar përmes rrjeteve sociale për të marshuar kundër shkurtimeve drastike financiare të qeverisë, që sic thonë organizuesit, po vrasin të ardhmen e rinisë.

Top Channel