Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Volker Halbauer tha të premten se barrikadat në veri të vendit nuk paraqesin më problem për lëvizjen e lirë.

Mirëpo, sipas tij, ajo në urën kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë ka domethënie politike dhe kërkon zgjidhje politike. Halbauer këto komente i bëri pas takimit me zëvendëskryeministrin Slobodan Petroviç.

Në fokus të takimit të zotit Petroviç me komandantin e KFOR-it Halbauer ishte gjendja në veri si dhe zhvillimet politike, raporton “Koha”.

“Sa i përket lëvizjes së lirë, barrikadat nuk paraqesin më ndonjë problem. Ndërsa sa i përket barrikadës në urën kryesore në Mitrovicë, ajo ka një domethënie politike, pra është një sinjal për të gjithë bartësit e përgjegjësisë politike në këtë rast që vërtet lidhur me këtë të gjejnë një zgjidhje politike”, deklaroi Halbauer.

“Sa i përket zgjidhjes politike, kjo është një çështje mbi të cilën duhet të punojmë të gjithë së bashku dhe për këtë mirëpres bashkëpunimin me zëvendëskryeministrin”, shtoi komandanti i KFOR.

Ministri Petroviç falënderoi komandantin Halbaur për kontributin që KFOR-i është duke dhënë në ruajtjen e rendit dhe qetësisë në vend. Ai tha se edhe në të ardhmen do të thellohet bashkëpunimi mes KFOR-it dhe institucioneve vendore.

Top Channel