Debati, kritika Obamës

05/10/2012 02:45

Debati i parë e i shumëmediatizuar presidencial, rezultoi një triumf për Mitt Romneyn, e një zhgënjim për Presidentin që shkonte në këtë përballje me një avantazh të cilin nuk arriti ta nderonte.

Reagimi i menjëhershëm i eventit të së mërkurës mbrëma ishte një rrebesh kritikash për Barak Obamën, i ardhur si cuditërisht, jo vetëm nga republikanët, por edhe nga shumë demokratë, që e akuzuan shefin e Shtëpisë së Bardhë për një performancë të zbehtë, të pafrymëzuar e të mbështetur kryesisht në mbrojtje.

Nisur nga anketimet parazgjedhore, shumëkush priste një tjetër Obamë në podium. Edhe vetë republikanët u befasuan nga paraqitja e një Romney energjik, agresiv e të mirëinformuar. E dominoi të gjithë debatin si në ton dhe në substancë, shkruan Stephen Hayes i revistës konservatore “Weekly Standard”. “Obama, shton ai, e gjeti shpeshherë veten të gozhduar në një cep e dukej sikur sia kishte idenë fare si kishte përfunduar aty”.
Disa nga aleatët demokratë të Obamës zgjodhën Twitterin për të shprehur zemërimin dhe zhgënjimin e thellë nga fakti që presidenti nuk e shfrytëzoi më mirë atë që ishte deri tani pika e tyre e fortë e fushatës: fjalimi i famshëm i Romney në mbrëmjen e donatorëve dhe ai 47% i amerikanëve që republikani i cilësonte viktima.

“Kjo ishte një katastrofë për Obamën. Ai është i mërzitshëm, abstrakt e më pak njerëzor në dukje sesa dhe vetë Romney”, shkruan në rrjetin social Andrew Sullivan, një bloger dhe mbështetës i fuqishëm i Presidentit.

Në këtë pikë, nuk dihet sesa të tilla vlerësime e të tjera të bëra pas tyre do të ndikojnë mbi votuesit në ditët në vazhdim. Amerikanët ndonjëherë i befasojnë ekspertët e medias me konkluzionet e veta mbi rezultatin e debatit presidencial.

Menjëherë pas debatit, kandidatet iu rikthyen fushatës: Romney i fokusuar tek mënyrat sesi t’i kthejë qëndrimet e përftuara pozitive në një mbështetje konstante e cila të ndryshoje dinamikën e garës. Obama nga ana e tij, ka takime të planifikuara në Denver e Madison, ku do të përpiqet të rifitojë pikë e të demonstrojë energjinë e munguar në debat.

Por demokratet e ngarkuar me detyrën ta ndihmojnë të zgjidhet në shtetet e lëkundura, e shprehen hapur pakënaqësinë me mungesën e performancës së duhur mbrëmjen e së mërkurës nga presidenti, që sic thonë, ua ka bërë punën shumë më të vështirë.

Top Channel