Afrikë e Jugut, pushohen nga puna 12 mijë minatorë

05/10/2012 16:20

Prodhuesi më i madh i platinit në botë, Anglo American Platinium, ka pushuar nga puna 12 mijë minatorë në Afrikën e Jugut, pas një greve të tejzgjatur për çështjen e pagave.

“Amplats” deklaroi se gjatë tre javëve grevë ilegale të 28 mijë punëtorëve ajo ka pësuar humbje që arrijnë në më shumë se 82 milionë dollarë.

Greva ka shkaktuar një seri përplasjesh mes minatorëve grevistë dhe agjentëve të policisë, në një prej të cilave një punëtor humbi jetën.

Gjithësesi, ngjarja më e rëndë në minierat e Afrikës së Jugut mbetet ajo e muajit gusht kur 34 minatorë u qëlluan për vdekje nga policia.

Minatorët u rebeluan ndaj kushteve të punës dhe agjentët që ishin të pranishëm deklaruan se u detyruan të hapnin zjarr ndaj tyre pasi ishin të pajisur me thika dhe hanxharë.

Duke shpjeguar vendimin e saj ditën e premte, “Amplats” deklaroi se minatorët nuk kishin marrë pjesë në seancat disiplinore dhe për rrjedhojë ata janë shkarkuar.

Pjesëmarrja prej 20 për qind në këto seanca për kompaninë do të thotë se operacionet e kërkimit në minierën e Rustenburgut nuk mund të zhvillohen siç duhet.

Sipas kompanisë, minatorët do t’i merrnin vesh përfundimet e seancave disiplinore më vonë gjatë së premtes dhe do të kishin tre ditë kohë për t’i apeluar ato.

“Rreth 12 mijë punëtorë grevistë zgjodhën që të mos përfaqësoheshin dhe të mos ndiqnin seancat. Për pasojë, ata janë pushuar në mungesë”, sqaroi më tej “Amplats”. 

Top Channel