Abu Hamza drejt ekstradimit në SHBA

05/10/2012 16:10

Kleriku radikal Abu Hamza al Masri dhe katër të tjerë të dyshuar për terrorizëm mund të ekstradohen në Shtetet e Bashkuara, ka vendosur Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar.

Abu Hamza dhe bashkëpunëtorët e tij Babar Ahmad, Syed Talha Ahsan, Adel Abdul Bary dhe Khaled al-Faëëaz nuk arritën të paraqisnin argumenta bindës kundër ekstradimit.

Apeli i tyre në Gjykatën e Lartë u bë pasi Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbështeti më herët vendimin e gjykatave të tjera britanike për ekstradimin e tyre.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme britanike ka deklaruar se dëshiron t’i ekstradojë ata sa më shpejt të jetë e mundur.

Tashmë dërgimi i klerikut radikal dhe bashkëpunëtorëve të tij në Shtetet e Bashkuara nuk mund të pengohet më, duke qenë se beteja e gjatë ligjore konsiderohet e mbyllur.

Të pandehurit nuk kanë se ku ta apelojnë më çështjen. Ata pretendojnë se do të përballen me trajtime çnjerëzore nëse dërgohen në Shtetet e Bashkuara. 

Top Channel