Zbulohet trafiku “hi-tech” SHBA-Rusi

04/10/2012 00:00

Tetë persona janë arrestuar në Huston të Teksasit nën akuzën e eksportit
ilegal të objekteve të teknologjisë së lartë drejt strukturave ruse të
sigurisë.

Alexander Fishenko, që zotëron një kompani në Teksas dhe Moskë, është akuzuar se ka vepruar në Shtetet e Bashkuara si një agjent jo i regjistruar i qeverisë ruse.

Padia përfshin gjithësej 11 persona, të cilët do të dalin të gjithë në gjykatën e Hustonit, përveç 3 vetëve që ndodhen në Rusi. Për momentin nuk ka pasur asnjë koment për akuzat e ngritura ndaj personave të arrestuar.

Gjithësesi, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ruse, Sergei Ryabkov, citoi autoritetet amerikane të kenë thënë se, “akuzat ishin të një natyre kriminale”.

“Ato nuk kanë asnjë lidhje me asnjë aktivitet të shërbimeve të inteligjencës”, deklaroi zëdhënësi për agjencinë e lajmeve “Ria Novosti”.

Fishenko, 46 vjeç, një shtetas amerikan i natyralizuar dhe pronar i kompanisë “Arc Electronics INC”, është akuzuar gjithashtu për veprën penale të pastrimit të parave.

Autoritetet amerikane mbikëqyrin rreptësisht eksportin e mikro-objekteve elektronike, që mund të përdoren në radarë, sisteme mbikëqyrjeje, sisteme armësh në distancë dhe si detonatorë.

Në një komunikatë të zyrës së FBI-së në Huston thuhet se të arrestuarit janë 6 burra dhe 5 gra, të moshave nga 31 deri në 58 vjeç.

Në bazë të ligjeve të Shteteve të Bashkuara, Fishenko mund të përballet me mbi 12 vjet burg nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat.

Top Channel