Turqia goditi me zjarr artilerie objektiva brenda Sirisë pak pasi konflikti në vendin fqinj kapërceu kufijtë, duke marrë 5 jetë njerëzish në qytetin kufitar turk, Akcakale.
Dhjetë të tjerë u plagosën kur një predhë mortaje ra mbi një shtëpi banimi. Tre nga viktimat ishin fëmijë. Bashkë me ta nga shpërthimi gjetën vdekjen edhe e ëma dhe një fqinje. Në mesin e të plagosurve, janë dhe dy efektivë policie.
Shumë shpejt pas ngjarjes së rëndë, ushtria turke goditi shënjestra siriane të identifikuara nga radarët në afërsi të vijës kufitare. NATO deklaroi se do të zhvillojë një mbledhje urgjente lidhur me incidentin. Pas ngjarjes së rëndë, ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu, kontaktoi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban ki Moon, të dërguarin e paqes për Sirinë, Lakdar Brahimi dhe shefin e NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Ky i fundit deklaroi se dënon me forcë indicentin dhe se po i ndjek me vëmendje dhe me shqetësim të madh zhvillimet në rajon. Rasmusen në mënyrë të vazhdueshme e ka përsëritur se NATO nuk ka ndërmend të ndërhyjë ushtarakisht në Siri, por është e gatshme të mbrojë Turqinë nëse kjo do të jetë e nevojshme.
Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Klinton shprehu nga ana tjetër indinjatë për hapjen e zjarrit nga përtej kufirit, përcolli ngushëllimet e saj për 5 jetët e humbura dhe e përshkroi gjendjen e krijuar si “shumë të rrezikshme”.
Zjarri i artilerisë erdhi nga rajoni sirian Tel Abayad. Incidenti përshkallëzon akoma më shumë marrëdhëniet edhe kështu tepër të tensionuara mes Ankarasë dhe Damaskut, dikur aleatë, por sot në pozicione krejtësisht të ndryshme lidhur me konfliktin 18 mujor në Siri.
Në të njëjtin qytet, u regjistrua një episod i ngjashëm pak ditë më parë, por në atë rast nuk pati viktima. Banoret e Akcakale-s jetojnë në frikë, thotë CNN-i turk.
Autoritetet lokale i bënë thirrje qeverisë të punojë për parandalimin e ngjarjeve të tilla. “Muajin e kaluar ka patur disa shpërthime, rrëfejnë ata. Ky është një vend i vogël, sa herë bie ndonjë bombë, e degjojmë të gjithë. Jemi ngjitur me Sirinë e shumë të prekshëm nga dhuna në atë vend”.
Në qytezën, dikur të qetë, prej dy javësh shkollat janë mbyllur, ashtu si edhe rrugët që cojnë në kufi. Vetëm dy vjet më parë, marrëdhëniet mes Sirisë e Turqisë ishin mjaft të ngrohta. Qytetarët e të dy vendeve fqinjë udhëtonin pa viza dhe tregtia ishte në lulëzim. Relatat diplomatike u shkëputën megjithatë vetëm disa muaj pas nisjes së rebelimit në Siri. Në muajin mars, turqia mbylli ambasadën e saj në Damask dhe qeveria siriane e shpalli ambasadorin turk Omer Onhon, “persona non grata”.
Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdoan vazhdimisht e ka denoncuar presidentin sirian Bashar al Assad duke kërkuar publikisht largimin e tij nga posti pas akuzave se po masakron popullin e vet. Përgjigja e regjimit sirian ishte kundërakuza se Ankaraja po furnizon rebelët sirianë me armë e me para.
Turqia përpos të tjerash, është duke strehuar edhe 93.000 refugjatë sirianë, ndërsa llogaritet se edhe 40 apo 50.000 të tjerë jetojnë në këtë vend jashtë kampeve të krijuara për të shpërngulurit nga shteti fqinj.
Top Channel