Pakistani, peticion SHBA për dronët

04/10/2012 08:55

Një delegacion i lëvizjes pacifiste amerikane, Code Pink, i ka dorëzuar ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Islamabad një peticion.

Bëhet fjalë për një peticion të nënshkruar nga 3 mijë personalitete amerikane, në të cilin kërkohet ndërprerja e aksioneve me avionë të telekomanduar nga CIA në zonat tribale pakistaneze.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja “The Express Tribune”. Mes firmëtarëve të letrës ka intelektualë, shkrimtarë dhe regjisorë, mes të cilëve Noam Chomsky, Oliver Stone, Naomi Wolf dhe Alice Walker.

Civilët në Pakistan po terrorizohen 24 orë në ditë nga sulmet me avionë të telekomanduar të CIA-s, të cilët vënë në shënjestër militantë të nivelit të ulët në veri-perëndim të vendit.

Kështu thoshte një raport amerikan i publikuar në shtator, sipas të cilit skuadrat e shpëtimit që trajtojnë të plagosurit nga sulmet po vriten e po plagosen gjithashtu nga këto sulme.

Sulmet me avionë të telekomanduar, të njohur ndryshe si dronë, mendohet se kanë vrarë qindra militantë në Jemen, Afganistan dhe Pakistan.

Presidenti amerikan Barack Obama ka deklaruar se personat e shënjestruar janë në “listën e terroristëve aktivë”. Anëtarë të vjetër të Al Kaedës dhe liderë talebanë janë vrarë në sulmet me dronë në Pakistan.

Por nga ana tjetër shkalla e civilëve që kanë mbetur viktima ka qenë e vështirë të verifikohet pasi gazetarëve të pavarur u ndalohet aksesi në zonat tribale në afërsi të kufirit afgan.

Në një nga sulmet më të egra, liderët tribalë dhe tregtarë të vegjël të zonave në fjalë ishin mes 40 personave të vrarë kur dy dronë sulmuan një makinë ku po udhëtonin katër militantë në Data Khel, në Uaziristanin Verior.

Ngjarja ndodhi në mars të vitit 2011, ndërkohë që në qershor të këtij viti një lider i vjetër i Al Kaedës, Abu Yaha al Libi u vra në një sulm të ngjashëm.

Top Channel