Libi, qeveria e re refuzohet nga parlamenti

04/10/2012 00:00

Libia rrezikon seriozisht t’u rikthehet trazirave pas kundërshtimit të një pjese të madhe të deputetëve vendas për të miratuar kabinetin e ri qeveritar.

Kabineti qeveritar u përzgjodh nga Mustafa Abushagur, ish-eksponent i lartë gjatë luftës kundër Gedafit dhe që synon postin e kryeministrit.

Emrat e kabinetit u bënë publikë ditën e mërkurë. Por mediat vendase thonë se do të duhet një mrekulli që kjo qeveri të marrë pëlqimin e legjislativit të dalë nga zgjedhjet e fundit.

Deputetët e Misuratas dhe Bengazit, dy fortesat kryesore të luftës ndaj regjimit të Gedafit, thonë se nuk do të miratojnë qeverinë e re pasi në përbërje të saj janë emra që nuk patën konsultë të gjërë.

Madje, sipas tyre, kandidati për kryeministër ka shmangur bisedimet me parlamentin duke mos u konsultuar me asnjë forcë politike të dalë nga zgjedhjet e fundit, të parat të lira në vendin afrikano-verior.

Rrëzimi pas muajsh të tërë lufte të përgjakshme civile ngjalli shpresën e libianëve dhe komunitetit ndërkombëtar për një shtet demokratik. Por tashmë, kur kanë kaluar disa muaj nga largimi i regjimit, duket se po ndodh ajo që të gjithë i trembeshin, tranzicioni i stërgjatur nga lufta për pushtet mes klaneve dhe përfaqësuesve të fiseve libiane.

Top Channel