Siri, shpërthime në Alepo, dhjetëra viktima

03/10/2012 15:25

Të paktën 31 persona mbetën të vrarë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga shpërthimi i pesë bombave në qendër të qytetit të dytë më të madh të Sirisë, Alepo.

Lajmi u konfirmua të mërkurën nga Televizioni Shtetëror Sirian.

Katër prej shpërthimeve ndodhën në sheshin Sadallah al-Jabari, pranë një kazerme të kadetëve ushtarakë dhe një hoteli.

Televizioni transmetoi pamje të shkatërrimit masiv dhe personave të pajetë, trupat e shpërfytyruar të të cilëve po nxirreshin nga rënojat.

Sipas raportimit zyrtar, shpërthimet u organizuan nga “terroristët”.

Në një vit e gjysmë konflikt, Damasku vazhdon të këmbëngulë se është duke luftuar ndaj militantëve islamikë dhe terroristëve të infiltruar në vend, pavarësisht formimit të një fronti të gjerë opozitar që dëshiron rrëzimin e qeverisë së al-Assad.

Prej disa muajsh, forcat e ushtrisë së rregullt siriane dhe kryengritësit janë duke luftuar për të marrë kontrollin e Alepos, një qytet me dy milionë banorë dhe një kryeqendër ekonomike e veriut të vendit.

Në 18 muaj luftime, Organziata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se mbi 30 mijë persona kanë humbur jetën dhe mbi një milionë janë shpërngulur nga zonat e luftimeve.

Top Channel