Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në delegacionin e OSBE-së, Nida Gelazis, ka kërkuar nga Serbia që të shpërbëjë strukturat paralele në veriun e banuar me shumicë serbe në Kosovë.

Ajo e ka bërë këtë apel gjatë një takimi të grupit punues të OSBE-së në Vjenë, mbi zbatimin e të drejtave të njeriut, në veçanti të pakicave.

“Është thelbësore për Serbinë, e cila gjendet në këtë tavolinë, që t’i japë fund institucioneve paralele në veri të Kosovës. Këto institucione minojnë sundimin e ligjit dhe ofrojnë bazë për mospajtim mes shqiptarëve të Kosovës dhe të tjerëve, në veçanti të serbëve, që dëshirojnë të bashkëpunojnë me institucionet legjitime të Kosovës”, ka thënë Gelazis.

Sipas raportimeve të “REL”, ajo e ka cilësuar si të papranueshëm pengimin e sundimit të ligjit nga ana e zyrtarëve serbë në veri.

“Vitin e kaluar është vënë re vazhdimi i pengimit të autoritetit ligjor në veri të Kosovës, përfshirë aktet e dhunshme dhe retorikën nxitëse të zyrtarëve serbë, që kanë kërcënuar me reciprocitet për veprimet e ligjshme dhe profesionale të forcave paqeruajtëse. Kjo duhet të ndalet”, ka thënë përfaqësuesja amerikane e OSBE-së.

Nga ana tjetër, ajo ka kërkuar nga Kosova, që edhe pse nuk është anëtare e OSBE-së, të zbatojë angazhimet e organizatës për mbrojtjen e minoriteteve.

“Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë të adresojë në praktikë shqetësimet e serbëve të Kosovës, romëve dhe komuniteteve të tjera pakicë”, ka thënë Gelazis, e cila e ka vlerësuar si hap pozitiv hapjen e zyrës administrative në veri të Mitrovicës.

Top Channel