Ashtu sic edhe pritej, autoritetet serbe ndaluan Gay Pride, paradën e komunitetit homoseksual serb e planifikuar për t’u mbajtur të shtunën e ardhshme.

Ndalimi u komunikua nga Ministri i Brendshëm i qeverisë së Ivica Daçiç për arsye sigurie dhe për të ruajtur qetësinë publike. Parada përbën një rrezik serioz për trazira në Beograd, por edhe në qytetet e tjera, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme serbe.

Ndalimi i tubimeve dhe protestave vlen edhe për ultranacionalistët dhe konservatorët që paralajmëruan një anti-protestë në të njëjtën ditë me atë të komunitetit homoseksual. Ekstremistët e quajnë paradën si “turpi i Beogradit”.

Dy vite më parë, Beogradi u shndërrua në shesh-betejë mes ultra-konservatorëve dhe policisë. Shkak i përleshjeve ishte pikërisht mbajtja e paradës së homoseksualëve. Konservatorët kërkonin anulimin e paradës, ndërsa policia u vendos në mes të dy grupeve për të shmangur përleshjet.

Top Channel