Eurodeputetja gjermane Doris Pack u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që ta lënë presidenten Jahjaga në punën e saj dhe të fokusohen tek çështjet e rëndësishme që ka vendi.

“Jam e mendimit se Kosova tani ka probleme të tjera më të rëndësishme për të zgjidhur se sa të merret me presidenten Jahjaga. Presidentja Atifete Jahjaga është duke bërë shumë mirë punën e saj dhe po përfaqëson për mrekulli vendin jashtë”, ka thënë Pack në një intervistë për Radio Kosovën.

”Mendoj se opozita së bashku me qeverinë duhet të merren me zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen përditë qytetarët e Kosovës dhe jo të harxhojnë kohë duke kërkuar dorëheqjen e presidentes. Jahjaga duhet lënë rehat të kryejë detyrat e saj si kryetare e shtetit”, ka theksuar ajo.

Eurodeputetja ka nënvizuar gjithashtu se njohja e Kosovës mbetet kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe ka shtuar se Gjermania pret që çështja e veriut të zgjidhet në kuadër të pakos së Ahtisarit.

“Asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket kushteve të vendosura për Serbinë nga ana e Bashkimit Evropian dhe kushtet janë: të vendosen marrëdhënie fqinjësore të ndërsjella midis Serbisë dhe Kosovës, që të dyja vendet të respektojnë njëra-tjetrën, të shpërbëhen strukturat paralele të Serbisë në veri, që Serbia ta njohë veriun si pjesë integrale të Kosovës dhe që në veri situata të normalizohet plotësisht, ndërsa zgjidhja e vetme dhe më e mirë për këtë është Plani i Ahtisarit”, ka theksuar Pack.

Top Channel