Obama drejt rekordit, 1 mld USD për fushatë

03/10/2012 16:50

Një detaj interesant nga fushata për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Presidenti aktual dhe kandidat për një tjetër mandat në emër të demokratëve, po shkon drejt thyerjes së të gjitha rekordeve për grumbullimin e fondeve për fushatë.

Sipas përllogaritjeve, me ritmet e grumbullimit të shumave financiare në mbështetje të Obama-s deri më tani, presidenti-kandidat pritet që në fund të procesit të ketë një fond prej 1 miliard dollarë për fushatën e tij anti-Romney.

Shifra është një rekord më vete pasi asnjëherë një kandidat për president të Shteteve të Bashkuara nuk ka mundur të sigurojë 1 miliard dollarë. Nga ana e tij, edhe pse e nisi fushatën e grumbullimit të fondeve me më shumë vrull se Obama, kandidati republikan nuk parashikohet të sigurojë më shumë se 900 milion dollarë.

Në fakt, shuma prej 1 miliard dollarësh është e tepruar dhe tejkalon objektivin prej 750 milion të vendosur nga stafi Obama. Ky objektiv u realizua që më 31 gusht. Sipas analistëve, ajo që ka ndikuar në rritjen e fondeve për Obama-n është fushata mbështetëse e aktorëve dhe figurave të tjera të rëndësishme të artit në SHBA.

Top Channel