Një trup gjykues në Gjykatën Supreme të Kosovës, i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe tre vendas, i hodhi poshtë të gjitha ankesat e parashtruara në emër të shtatë të pandehurve për tragjedinë e lumit Tisa dhe i vërtetoi të gjitha dënimet me burgim.

Trupi gjykues e ndryshoi sipas detyrës zyrtare aktgjykimin e shkallës së parë në lidhje me kualifikimin juridik të veprave, por mori vendim që të pandehurve të mos iu ndryshohen dënimet e shqiptuara nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.

Kështu, të pandehurit Avni Hajdari, Shpejtim Ademaj, Ismail Krapi, Shaip Selmani, Fatmir Pajaziti, Xhemajl Halilaj dhe Blerim Ademaj janë shpallur fajtorë për veprën penale të krimit të organizuar, konkretisht për trafik emigrantësh klandestinë.

Ndërsa në bazë të vendimit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, shtatë të akuzuarit do të vuajnë dënime që variojnë nga dy deri në 19 vjet burg dhe gjoba nga 200 deri në 250 mijë euro.

Të gjithë ata janë konsideruar përgjegjës për rolin e tyre në vdekjen tragjike të pesëmbëdhjetë personave, që në tetor të vitit 2009 u mbytën në lumin Tisa mes Serbisë dhe Hungarisë.

Top Channel