Zhvlerësohet monedha iraniane

02/10/2012 00:00

Monedha iraniane, riali, u zhvlerësua me 18% kundrejt dollarit, një nivel rekord ky që i detyrohet sanksioneve të vendosura mbi Republikën Islamike.

Që nga fundi i 2011-s, riali, sic raporton BBC, ka humbur 80% të vlerës. Kjo rënie drastike lë të kuptohet se masat kundër Iranit për shkak të programit bërthamor po e godasin ashpër aktivitetin ekonomik të vendit.

Të dhënat e shfaqura në fillim të ditës u fshinë nga faqet e këmbimit valutor në internet. Ekspertët mendojnë se kjo u bë për shkak të nivelit të lartë të zhvlerësimit, që Teherani ka dashur ta mbulojë.

Luhatjet mund të jenë shkaktuar nga një lëvizje e qeverisë për t’i ofruar importuesve të disa mallrave bazë dollarë me një kurs të caktuar këmbimi në përpjekje për të frenuar rënien e rialit, por nisma ka pasur efektin e kundërt.

Vëmendja e ndërkombëtarëve, thotë BBC, mund të jetë përqendruar tek ambicjet e supozuara të Iranit për prodhimin e një bombe atomike, por për iranianët e thjeshtë problemi i vërtetë është ekonomia.

Inflacioni i shfrenuar konsiderohet shkaku i shtrenjtimit të mjaft artikujve ushqimorë dhe sanksionet e e Shteteve të Bashkuara dhe bllokut europian kanë luajtur një rol kyc në këtë drejtim.

Irani është lënë jashtë sistemit global bankar. Eksportet e tij të naftës janë fshikulluar rëndë. Megjithatë për ekspertët, në të gjithë këtë situatë ka pjesën e tij edhe keqmenaxhimi i qeverisë.

Një qendër e këmbimit valutor, e krijuar javën që kaloi, po konkurron kursin e tregut të zi, cka i përkeqësoi gjërat akoma më shumë. Web site-t opozitare kritikojnë autoritetet e njëri fajëson banken qendrore, duke e cilësuar krejtësisht të paaftë për marrjen e situates nën kontroll.

Shumë prej problemeve ekonomike të vendit i faturohen dobësisë së monedhës kombëtare: një monedhë e dobët shtrenjton importet dhe brenda Iranit pritet një tjetër rritje cmimesh.

Bllokada nga jashtë nuk e lejon Republikën Islamike t’ia shesë produktet e saj të naftës një numri të madh vendesh, ndërsa përballë atyre që ende duan të bëjnë biznes me të, Teherani mund të dorëzohet e të pranojë cmime më të ulëta.

Top Channel