“Three Worlds” fiton në Prifest

02/10/2012 15:40

“Three Worlds” (Tre Botët) u shpall filmi më i mirë i festivalit “Prifest”. Një prodhim francez me regji të Kethrin Korsinit, ku interpreton Arta Dobroshi, e cila fitoi “Hyjneshën e Artë” si aktorja më e mirë në “Prifest”.

Por çmimet nuk mbarojnë këtu për këtë film. U nderua edhe me çmimin e medias, ku kryetare e jurisë ishte Arbana Osmani. Ky çmim u sponsorizua nga Fondacioni mediatik “Dritan Hoxha” dhe u dorëzua nga presidentja e “Topmedias”, Vjollca Hoxha.

“Falenderoj drejtoreshën e festivalit dhe të gjithë shqiptarët e Kosovës që vazhdojnë të na mbështesin me shikueshmërinë e vazhdueshme të mediave tona”, u shpreh në fjalën përshëndetëse Vjollca Hoxha.

E pranishme në “Prifest” edhe drejtoresha e fondacionit “Dritan Hoxha”, Vjollca Dako.

Publiku voti për Agnus Day, film i regjisorit nga Kosova, Agim Sopi. “Hyjneshën e Artë” për filmin me metrazh të mesëm e mori filmi holandez ‘Vast’. Aktori më i mirë, algjeriani Asli Nabil. Cmimi për regjinë më të mirë shkoi për dy regjisorë: turko-austriakun Umut Dag dhe hungarezin Bence Feugaut.

Mirënjohje speciale për filmin sllovak “Duma” dhe në kategorinë e filmit të Ballkanit, Serbia me “Parade”.

Vjosa Berisha, drejtoreshë e “Prifest”, theksoi: “Festivali është i rëndësishëm për promovimin e shtetit sepse kemi personalitete të ndryshme që vijnë tek ne dhe rëndësi ka që ky festival ofron për audiencën kosovare filma që nuk mund të ofrohen nga kinematë e zakonshme.”

Për një festival që si slogan ka “miqësinë përgjithmonë”, edhe mbyllja u bë në tone miqësore mes stafit dhe të ftuarve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA