SHBA, paditet gjigandi bankar “JPMorgan”

02/10/2012 00:00

Prokurori i përgjithshëm i Nju Jorkut ka paditur gjigandin bankar “JPMorgan Chase” nën dyshimin e mashtrimit të investitorëve që humbën mbi 20 miliardë dollarë me siguracionet e hipotekave, të shitura nga “Bear Stearns”.

“JPMorgan” bleu bankën e investimeve “Bear Stearns” në maj të vitit 2008. Për momentin thuhet se ajo do t’i kontestojë akuzat.

Ky është veprimi i parë i një grupi pune të ngritur nga presidenti Barack Obama që kërkon shkaqet e krizës financiare të shpërthyer në vitin 2008.

Siguracionet e hipotekave ishin produktet e investimeve që shkaktuan krizën financire globale katër vjet më parë. Kur shumë nga blerësit e shtëpive dështuan në regjistrimin e hipotekës, atëherë këto siguracione u kthyen në kredi të këqija.

Padija civile, e hartuar nga prokurori i përgjithshëm i Nju Jorkut, Eric Schneiderman, akuzon “Bear Stearns” se ka dështuar në sigurimin e cilësisë së huave.

Padija thotë se, banka dështoi sistematikisht në vlerësimin e plotë të huave, injoroi defektet që procesi i mbikëqyrjes zbuloi dhe nuk informoi investitorët për procedurat e saj të papërshtatshme dhe defektet në dhënien e huave.

Top Channel