Irani: Jemi në luftë ekonomike me perëndimin

02/10/2012 17:20

Presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, fajësoi “armiqtë e jashtëm” për rënien drastike që ka pësuar në kursin e këmbimit monedha e vendit, riali.

Në vetëm një javë, monedha iraniane ka humbur rreth 25% të vlerës së saj, duke regjistruar një rekord të ulët historik në këmbimin me dollarin.

Ministri i Industrisë, Mehdi Ghazanfari, nga ana e tij fajësoi spekulatorët për inflacionin galopant.

Në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit, argumentohej se një situatë e tillë është shkaktuar is rrjedhojë e sanksioneve ekonomike të Iranit në lidhje me programin e diskutueshëm bërthamor.

Ndërkohë, në një deklaratë gjatë ditës, Ahmadinejad u shpreh se sanksionet ekonomike perëndimorë janë të krahasueshme me një luftë ekonomike, por theksoi se kjo nuk do të detyrojë Teheranin që të tërhiqet nga projekti i tij bërthamor.

“Në nuk jemi njerëz që do të tërhiqemi përballë presionit të jashtëm. Nëse dikush mendon se do të thyhemi, patjetër që gabohet dhe duhet të mendohet për të korrigjuar sjelljen e tij”, deklaroi presidenti, deklaratat e të cilit gjatë shtatë viteve të drejtimit të Iranit kanë ngjallur shpesh herë polemika në shtyp.

Që ashpërsimit të sanksioneve mbi Iranin në vitin 2011, monedha vendase ka humbur mbi 80% të vlerës së saj.

Sipas ekspertëve, ky inflacion tregon se bllokada ekonomike imponuar për shkak të programit bërthamor të Teheranit është duke goditur ekonominë vendase edhe më fort nga sa ishte parashikuar.

Një inflacion i tillë i lartë e bën më të vështirë importin e mallrave të huaja, duke rritur çmimet për njerëzit brenda Iranit, kryesisht për ato prodhime që importohen apo lënda e parë e të cilave vjen nga jashtë.

Një vend me 75 milionë banorë, Irani nuk është i vetmjaftueshëm në prodhimin ushqimor apo farmaceutik, duke bërë që edhe çmimet për ushqimet dhe barnat të pësojnë rritje të dhimbshme për iranianët e thjeshtë.

Top Channel