Gjeorgji, Saakashvili pranon humbjen

02/10/2012 00:00

Presidenti i Gjeorgjisë, Mikhail Saakashvili ka pranuar humbjen në zgjedhjet parlamentare, njoftojnë burime qeveritare pranë tij. “Blloku Ëndrra Gjeorgjiane e ka fituar garën”, ka deklaruar ai.

Rezultatet e para tregonin pikërisht se koalicioni opozitar Ëndrra Gjeorgjiane, e drejtuar nga miliarderi pro-rus Bidzina Ivanishvili, kryesonte qartë në votimet për listat partiake.

Por Saakashvili deklaronte më herët se partia e tij qeverisëse po e fitonte garën për shumicën e vendeve të Parlamentit. Zgjedhjet në fjalë ishin një test jetik për popullaritetin e presidentit, që erdhi në pushtet në vitin 2003.

Në këto zgjedhje, 77 nga 150 vendet në parlament u kontestuan në votimin proporcional, ndërsa 73 vende të tjera u përcaktuan në mënyrë tjetër.

Me 12 për qind të votave të numëruara sipas sistemit të listave partiake, Ëndrra Gjeorgjiane kishte siguruar 54 për qind, ndërsa Lëvizja e Koalicionit të Bashkuar 41 për qind.

Zoti Saakashvili ishte përpjekur t’i portretizonte zgjedhjet si një zgjedhje mes qeverisë së tij pro-perëndimore dhe një të ardhmeje ku sipas tij rivali Ivanishvili do t’i lejojë Rusisë të dominojë ish-republikën sovietike. Zoti Ianishvili e ngriti pasurinë e tij në Rusi në fillim të viteve 1990.

Tensionet mes qeverisë së zotit Saakashvili dhe Rusisë u përshkallëzuan në një luftë të shkurtër në vitin 2008, kur trupat gjeorgjiane u dëbuan nga dy rajone të kontestuara.

Top Channel