Francë, korrupsion në polici, pranga agjentëve

02/10/2012 00:00

Agjentë të shumtë policie të Brigatës së Antikrimit janë arrestuar nga kolegët e tyre në qytetin e Marsejës, në Francë.

Sipas informacioneve të agjencive lokale të lajmeve, agjentët akuzohen për një seri veprash të rënda penale si vjedhje, zhvatje, dhunë dhe blerje e shpërndarje narkotikësh.

Arrestimet u kryen nga agjentët e Inspektoriatit të Përgjithshëm të Policisë Kombëtare, e konsideruar ndryshe si “policia e policive”, që kontrollon strukturat e forcave të rendit.

Lagjet periferike të Marsejës, një qytet me mbi 850 mijë banorë, janë të njohura për praninë e kriminalitetit, grupet e të cilit janë kryesisht afrikane, armene dhe aziatike.

Kjo prani bën që jo pak herë edhe vetë agjentët e policisë të përfshihen në afera kriminale, për shkak të rrogave të ulëta dhe problemeve të tjera sociale.

Gjatë këtij viti Marseja është përfshirë nga vala më e egër e kriminalitetit të organizuar, që ka shkaktuar 20 të vrarë në 9 muaj, brenda dhe në rrethinat e qytetit.

Magnituda e dhunës, që sipas policisë ka si autorë trafikantët e drogës që përdorin armë luftarake, ka shtyrë qeverinë e re socialiste që të hartojë një plan ambicioz për të ndihmuar qytetin me rreth 850 mijë banorë.

Vetë ministri i Brendshëm, Manuel Valls e cilësoi situatën si “shumë shqetësuese”, ndërsa Samia Ghali, një politikane socialiste që përfaqëson shtresat në nevojë, bëri thirrje për ndërhyrjen e ushtrisë.

Kërkesa e saj, që për shumë zyrtarë ishte e ekzagjeruar, tërhoqi megjithatë vëmendjen e mediave mbi situatën e kriminalitetit në qytetin bregdetar francez.

Top Channel