Sulmohet rrjeti i Shtëpisë së Bardhë

01/10/2012 17:55

Sulmi ndaj Shtëpisë së Bardhë ka ardhur nga rrjeti. Selia e presidentit amerikan ka pësuar një tentativë infiltrimi në sistemet e saj informatike, por teknikët e saj kanë arritur ta kthejnë mbrapsht sulmin.

Lajmin e bën të ditur një funksionar anonim i administratës Obama, sipas të cilit objektiv i sulmit kibernetik ishte një rrjet me të dhëna jo të rezervuara.

Sipas burimit, teknikët e Uashingtonit e vunë re në kohë kërcënimin dhe izoluan sistemin para se sulmi të përhapej, duke bërë që të mos vidheshin informacionet.

Informatori anonim ka nënvizuar më tej se sulmi nuk kishte në shënjestër sistemet me informacione sekrete, duke sqaruar se bëhej fjalë për një formë të veçantë “phishing”.

“Phishing” është një mashtrim online që fton përdoruesit të klikojnë mbi një link të falsifikuar me qëllim për t’i vjedhur.

Vitin e kaluar Google u atribuoi disa hakersave kinezë përgjegjësinë për një sërë tentativash mashtrimi në dëm të qindra përdoruesve të Gmail, mes të cilëve funksionarë të rëndësishëm të forcave të armatosura amerikane.

Shtëpia e Bardhë nuk i ka bërë referim Kinës, duke mos pasur asnjë të dhënë mbi prejardhjen e sulmit, por shumë hakersa mbështesin pistën se operacioni ishte organizuar nga Lindja e Largët.

Top Channel