Monti refuzon një tjetër mandat

01/10/2012 00:00

Kryeministri italian Mario Monti deklaroi se do të lërë postin në krye të ekzektutivit pas disa muajsh, duke iu referuar këtu periudhës pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Duke folur në një forum ekonomik, kryeministri italian iu përgjigj pyetjes për mundësinë e një mandati të dytë. Ai tha se nuk ka ndërmend të konkurojë për postin e kryeministrit dhe se synimi i tij aktual është që t’i lërë pasuesit një qeveri më të fortë financiarisht.

“Shpresoj t’i lë një qeveri sa më të fortë pasardhësit tim, me financat publike të përmirësuara dhe me më shumë fleksibilitet”, tha Monti.

Por, sa më shumë afrohen zgjedhjet legjislative italiane, aq më shumë përforcohen zërat pro një tjetër mandati të Montit. Pas mbështetjes së dhënë nga drejtuesit e kompanisë së automjeteve “Fiat”, edhe grupi i deputetëve të FLI-së së Finit u shprehën dakort në parim se Monti duhet të vazhdojë të drejtojë Italinë edhe për një tjetër mandat.

Më tej, kryeministri italian që pasoi Berlusconi-n pas një marrëveshje politike, flet për reformat e qeverisë së tij, reforma që janë përgëzuar nga ndërkombëtarët si rruga e duhur drejt stabilitetit financiar të Italisë. Monti paralajmëroi edhe njëherë tjetër tolerancë zero ndaj të gjithë personave që shmangin taksat.

Top Channel