Iran, sanksionet shkaktojnë inflacion galopant

01/10/2012 15:30

Monedha iraniane, riali, humbi rreth 10% të vlerës vetëm gjatë së hënës, duke vazhduar një “rënie të lirë” që e ka bërë të humbasë në një javë 25% të vlerës së tij.

Si rrjedhojë e këtij inflacioni galopant, ndikuar nga sanksionet e ashpra ndërkombëtare të vendosura ndaj vendit, riali ka arritur vlerën më të ulët historike ndaj monedhave të tjera ndërkombëtarëe.

Ditën e hënë, një dollar u shkëmbye me 32,2 rialë, nga 29,7 që kishte qenë në tregun valutor një ditë më parë.

Sipas ekspertëve, ky inflacion tregon se bllokada ekonomike imponuar për shkak të programit bërthamor të Teheranit është duke goditur ekonominë vendase edhe më fort nga sa ishte parashikuar.

Një inflacion i tillë i lartë e bën më të vështirë importin e mallrave të huaja, duke rritur çmimet për njerëzit brenda Iranit, kryesisht për ato prodhime që importohen apo lënda e parë e të cilave vjen nga jashtë.

Një vend me 75 milionë banorë, Irani nuk është i vetmjaftueshëm në prodhimin ushqimor apo farmaceutik, duke bërë që edhe çmimet për ushqimet dhe barnat të pësojnë rritje të dhimbshme për iranianët e thjeshtë.

Top Channel