Ekonomia greke në rënie të lirë

01/10/2012 00:00

Ekonomia greke vazhdon të tkurret me ritme alarmante dhe parashikimet për vitin e ardhshëm nuk janë aspak optimiste.

Në projekt/buxhetin e vitit 2013 të paraqitur në parlament nga qeveria greke parashikohet një rënie ekonomike prej 3.8 përqind për Greqinë. Ndërkohë, për këtë vit, rënia e ekonomisë pritet të shkojë deri në 6.5 përqind, duke tejkaluar parashikimin fillestar prej 4.8 përqindësh.

Në projekt/buxhetin 2013 parashikohen të tjera masa shtrënguese që do të shkurtonin shpenzimet publike, kryesisht pensionet dhe pagat e administratës me 8 miliard euro.

Shkurtimet janë të nevojshme dhe kërkesë e kredidhënësve ndërkombëtarë të Athinës për të lëvruar këstin e radhës së huasë.

Për të pestin vit me radhë ekonomia greke është në rënie të lirë dhe 2013 do të ishte viti i gjashtë. Por më e keqja nuk përfundon këtu. Analistët vendas deklarojnë se me kushtet dhe kërkesat e ndërkombëtarëve, Greqisë do t’i duhen të tjera masa shtrënguese të paktën deri në vitin 2015.

Top Channel