Aksident i rëndë në Lushnjë, 2 të vdekur

01/10/2012 23:45

Dy të vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i një aksidenti tragjik që ndodhi në mbrëmje në fshatin Karbunarë, rreth 1 km larg qytetit të Lushnjës.

Ngjarja e rëndë ndodhi kur një automjet me targa AA 310 EN, përplasi dy motoçikleta, në të cilat udhëtonin 4 persona. Nga përplasja fatale humbën jetën Tomor Nezha dhe Fatmir Daja, dhe mbetur të plagosur dy persona të tjerë, identitetet e të cilëve nuk dihet ende.

Korrespondenti i TCH në Lushnjë, Bledar Korreshi që i referohet burimeve policore thotë se automjeti që shkaktoi aksidentin u largua menjëherë nga vendngjarja, duke i braktisur viktimat pa u dhënë asnjë ndihmë.

Dy të plagosurit u dërguan më pas menjëherë drejt spitalit rajonal për t’u dhënë ndihmën mjekësore. Policia tha se po heton mbi këtë ngjarje dhe se po punon për identifikim dhe kapjen e autorit të aksidentit mbi të cilin rëndon edhe akuza e braktisjes së viktimave.

Top Channel