Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet së shpejti, për të bashkërenduar proceset e integrimit  me Europën, por theksoi se ndarja e pjesës veriore të Kosovës, e banuar me popullatë shumicë serbe “nuk do të ndodhë kurrë”.

“Kosova është e përkushtuar për dialog me Serbinë, për normalizimin e raporteve”, tha Hashim Thaçi, në një intervistë nga Nju Jorku, e përcjellë prej nga “Telegrafit”.

“Nga këto bisedime, Kosova do të përfitojë, Serbia gjithashtu dhe kjo do të nënkuptojë përfundim të epokës së konflikteve në rajon dhe proces më të shpejtë të integrimit të të gjitha vendeve”.

Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por Thaçi udhëtoi gjithsesi në selinë e OKB-së, ku u takua me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, Catherine Ashton dhe Jose Manuel Barroso apo me zyrtarë.

Kryeministri Hashim Thaçi, konsideron se “pas normalizimit të raporteve me Serbinë, rruga për në Kombet e Bashkuara do të hapet për Kosovën”.

Duke folur për pjesën veriore të Kosovës, ai ka theksuar se serbët në këtë pjesë duhet të integrohen në shoqërinë kosovare, por kjo është bërë detyrë më e vështirë, pasi ata “për 12 vite janë mashtruar nga Beogradi se do të ketë ndarje. Por kjo nuk do të ndodhë kurrë”.

Sipas Thaçit, “ndarja nënkupton ndryshim të kufijve për së paku gjashtë vende”.

Duke u shprehur për akuzat në raportin e politikanit zviceran, Dick Marty, për trafikim të organeve nga ish UÇK-ja, përfshirë edhe Thaçin, ai i ka hedhur poshtë të gjitha ato pretendime, duke i cilësuar si “fantazira”.

Megjithatë, Thaçi ka pranuar se ato “e kanë dëmtuar imazhin” e tij dhe të Kosovës.

Top Channel