Me një qarkore të publikuar orët e fundit, Enti i Institutit Agrar të Greqisë, OGA, nga i cili përfitojnë pension edhe rreth 17000 minoritarë grekë nga Shqipëria, njofton 1.2 milionë pensionistët e tij se duhet të regjistrohen përsëri qysh prej datës 1 tetor, deri në fund të muajit nëntor.

Regjistrimi, sipas udhëzimeve të Entit, do të bëhet me paraqitjen fizike të këtyre personave pranë Postave Greke apo bankave përkatëse prej të cilave ata marrin pensionet në mënyrë që të konfirmohet Numri i Amzës së Sigurimeve Shoqërore AMKA si dhe Numri i Regjistrit të Taksave AFM.

Përgjatë kësaj periudhe dymujore pensionistët e këtij enti janë të detyruar të shkojnë vetë për tu regjistruar duke pasur me vete letërnjoftimin apo pashaportën, si dhe lajmërimin përkatës që do tu çohet në shtëpitë ku ata banojnë, ndërsa kjo procedurë do të zhvillohet çdo vit.

Në rastet kur personi është i pamundur fizikisht për shkak të moshës apo sëmundjeve do të kërkohet një deklaratë personale e noterizuar që ka afat 1-vjeçar, por edhe një raport zyrtar mjeko-ligjor. Përsa u përket pensionistëve të këtij grupi që banojnë jashtë Greqisë, do të kërkohet nga organet konsullore greke të qyteteve ku ata ndodhen edhe një vërtetim 1-vjeçar që janë gjallë, por e kanë të pamundur paraqitjen në atdheun e tyre.

Nga regjistrimet e përvitshme të pensionistëve pritet të marrë fund çështja e pensioneve të dyshimta në të gjitha skemat në Greqi që po shqyrtohet në 8 muajt e fundit nga prokuroria. Deri në fund të vitit të kaluar, tek instituti më i madh i sigurimeve në vend, IKA, mbi 20000 persona merrin në mënyrë të paligjshme pensione duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 120 milionë eurosh.

Në tetor të 2011 qeveria greke ka ndërprerë pensionet e 3050 minoritarëve shqiptarë duke i hequr tregut shqiptar një shumë prej 15 milionë euro në vit, pasi këta persona nuk ishin paraqitur për regjistrim në afatin e duhur, ndërsa dy muaj më parë u ndërprenë gjithashtu pensionet e rreth 2700 personave që nuk u regjistruan, shumica e të cilëve homogjenë nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik sepse pensionet e tyre merreshin nëpërmjet akteve noteriale të disa zyrave juridike që dëmtonin shtetin me rreth 14 milionë euro.

Top Channel