Dorëzimi vullnetar i armëve në Libi

30/09/2012 20:05

Qindra libianë kanë dorëzuar armët në Benghazi e Tripoli të Libisë duke u bërë pjesë e nismës së carmatimit të ndërmarrë nga ushtria vendase.

Automatikë, kundra-ajrorë, raketahedhëse e madje edhe tanke janë grumbulluar në të dy qytetet.

Thirrjet për dorëzimin e armëve që do t`i kalojnë ushtrisë, u promovuan përmes një fushate sensibilizimi nga një televizion privat, që sipas gjasave mori shkas nga vrasja e ambasadorit amerikan Christofer Stevens në Begnhazi.

Lideri i përkohëshëm i vendit, Mohamed Magarief, u zotua pas episodit të rëndë se do të shpërbëjë të gjitha grupet ilegale paraushtarake, që dolën në skenë gjatë përpjekjeve për rrëzimin e Muamar Gedaffit nga pushteti e mbetën akoma dhe sot një forcë domethënëse në Libi.

Inciativës iu përgjigjën shumë njerëz në Tripoli e Benghazi, ku dorëzimi i armëve u bë në një atmosferë kremtuese me në sfond tingujt e bandave ushtarake e të muzikës pop.
      
“E dhashë armën time, sepse kërkojmë që vendi ynë të jetë i qetë e i sigurtë. Nuk duam më armë nëpër duar, nuk duam t`i shohim më me sy. Duam thjesht të jetojmë jetën tonë në paqe. Koha e luftës ka mbaruar”, tha një qytetar i thejshtë.

Udhëheqësit e rinj të Libisë po përpiqen të vendosin autoritetin e tyre në një vend të mbushur me armë, e ku shume libianë janë të lodhur me grupet paraushtarake që ende patrullojnë rrugët e shpeshherë, zgjedhin ta bëjnë vetë ligjin.

Nisma tani do të përhapet edhe në qytete të tjera ku për të bindur njerëzit të dorëzojnë armët, do të hidhet short e do të jepen cmime, që do të përfshijnë edhe makina falas.

Top Channel