Suedi, para në këmbim të burgut

29/09/2012 21:50

Para në këmbim të burgut! Është kjo marrëveshja e dy miqve suedezë, njëri prej të cilëve pasi ka marrë paratë ka pranuar të shkojë në qeli për të zëvendësuar shokun e tij të dënuar për kontrabandë.

Kontrabandisti, një 37-vjeçar me origjinë nga Goteborgu, ishte dënuar në vitin 2008 me një vit burg. Në muajt kur ishte kryer proçesi gjyqësor ai kishte arritur të rinovonte patentën, por në dokument kishte zëvendësuar foton e tij me atë të shokut.

Më pas kishte kërkuar dhe siguruar një pasaportë të re në konsullatën suedeze të Amstërdamit dhe pikërisht në ditët kur shoku kishte hyrë në burg, ai ishte arratisur në Azi.

Mashtrimi është zbuluar së fundmi pasi fajtori i rremë ka shlyer dy të tretat e dënimit. Një oficer i policisë e ka marrë në pyetje dhe ka zbuluar se personi që kishte përpara dhe që kishte kryer 8 muaj burg, ishte vetëm një mashtrues.

Sipas policisë, kontrabandisti i vërtetë ndodhet në Filipine dhe këto ditë autoritetet kanë lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar për të.

Top Channel