“Strukturat serbe, në arsim e siguri”

29/09/2012 18:25

Shefi i misionit EULEX, Xavier Bout de Marnhac ka deklaruar se strukturat paralele serbe vazhdojnë të jenë të pranishme në Kosovë, madje në disa sektorë.

“Jemi në dijeni se këto struktura ekzistojnë dhe punojnë në shumë fusha, përfshirë arsimin dhe sigurinë”, ka thënë De Marnhac për agjencinë e lajmeve “Beta”.

I rezervuar në përgjigjet e tij, shefi i misionit evropian ka theksuar më tej se vendosja e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës është prioriteti kryesor.

“Ajo që është e rëndësishme kur bëhet fjalë për situatën në veri të Kosovës është se ne jemi në gjendje ta përmirësojmë sundimin e ligjit në këtë zonë”, ka deklaruar De Marnhac.

Ai ka saktësuar se në veri misioni i drejtuar prej tij është i pranishëm në dy pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut, në gjykatën e Mitrovicës dhe me patrullime të vazhdueshme.

“Mund të përsëris se liria e lëvizjes për EULEX-in dhe gjithë bashkësinë ndërkombëtare është diçka që duhet të jetë e vazhdueshme dhe pa kufizim”, ka shtuar De Marnhac.

Top Channel