Rreziku i armëve kimike në Siri

29/09/2012 08:20

Në një sërë videosh amatore që qarkullojnë në internet tregohet vëmendja e rebelëve anti-regjim për lokalizimin e vendstrehimit të armëve kimike të Basha al-Assad.

Forcat e Ushtrisë së Sirisë së Lirë deklarojnë se janë vënë në dijeni të një sërë vendndodhjesh të armëve kimike dhe paralajmërojnë se regjimi mund t’i vërë në përdorim ato. Një ish-ushtarak i lartë sirian që dezertoi para disa muajve e që aktualisht ndodhet i strehuar në Turqi, deklaroi për CNN se armët mund të bien lehtësisht në duar të gabuara.

Adnan Sillu, me gradën major gjeneral, shtoi se ushtria siriane po bashkëpunon ngushtë me iranianët për të zhvendosur armët kimike ku përfshihen edhe bombat me gazin vdekjeprurës sarin. Sillu paralajmëroi se transportimi i këtyre armëve të shkatërrimit në masë mund të kryhet lehtësisht.

Ndërkaq, komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar presidentin Bashar al-Assad se në rast të përdorimit të këtyre armëve do të vihet përballë përgjegjësisë. Armët kimike të shkatërrimit në masë janë të ndaluara për përdorim nëpër konflikte nga marrëveshje ndërkombëtare.

Top Channel