“Isaac” mbërrin në Luiziana

29/09/2012 00:00

Epiqendra e uraganit “Isaac” mbërriti në brigjet e Luizianës me reshje shiu e erëra të forta që tejkalojnë 130 kilometra në orë dhe tashmë është nisur drejt Nju Orlinsit.

Në orët e para të së mërkurës (me orën lokale amerikane), uragani pritet të godasë qytetin, në një kohë thuajse ekzakte me përvjetorin e shtatë të uraganit “Katherine” që shkaktoi 1800 viktima dhe miliarda dollarë dëm ekonomik për Shtetet e Bashkuara.

ndërkohë, presidenti amerikan, Barak Obama paralajmëroi banorët e Shteteve bregdetare se nuk ka më kohë për të luajtur me fatin, duke folur për stuhinë tropikale Isaac, tashmë e shndërruar në një uragan të kategorisë së parë.

“Ndërsa përgatitemi për goditjen nga Isaac, dëshiroj të inkurajoj të gjithë banorët e Gjirit të Meksikës, të degjojnë zyrtarët lokalë dhe të ndjekin udhërrëfimet e tyre, edhe kur ju flasin për shpërnguljen. Ne kemi të bëjmë me një stuhi të madhe, pritet të ketë përmbytje dhe dëme në një zonë të madhe. Nuk është koha për të luajtur me fatin, nuk është koha për të kundërshtuar paralajmërimet zyrtare. Ju duhet të merrni gjithcka seriozisht”, tha Obama.

Deklarata e presidentit amerikan ka për qëllim t’u tregojë amerikanëve që jetojnë në zonat e rrezikuara, ta marrin seriozisht këtë stuhi. Të hënën presidenti amerikan deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme për Luizianën, që në vitin 2005 u shkatërrua nga uragani Katrina. Deklarata e Obamës i hapi rrugën financimeve federale për këtë shtet.

Top Channel