Përplasja Kinë-Japoni në OKB

28/09/2012 16:00

Një betejë fjalësh mbi sovranitetin e disa ishujve të pretenduar nga Kina dhe Japonia njëkohësisht ishte kryefjala e punimeve në selinë e OKB-së gjatë së premtes, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë një apel të ri për të zgjidhur këtë konflikt në mënyrë gjakftohtë.

Në fjalimin e tij në foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork, ministri i Jashtëm kinez akuzoi Japoninë për “vjedhjen” e ishujve.

Në kundërpërgjigjen e tij, zëvendësambasadori japonez në OKB theksoi se “nuk ka asnjë dyshim” për sovranitetin japonez mbi ishujt e ndodhur në Detin e Kinës Lindore.

Në një deklaratë paralele, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, i kërkoi të dyja palëve që të “angazhohen në një dialog të qëndrueshëm, për të qetësuar ujrat dhe për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”.

Ishujt, të quajtur Senkaku në Japoni dhe Diaoyu në Kinë, pretendohen gjithashtu prej Tajvanit. Aktualisht ata janë pjesë e prefekturës së Okinauas, nën kontrollin e Tokios, që bleu më parë gjatë muajit territoret nga pronari i tyre i ligjshëm, një biznesmen vendas.

Ndonëse të pabanuar, ishujt kanë një rëndësi të madhe strategjike, pasi ndodhen në një zonë të pasur me resurse detare, ku dyshohet se ndodhen edhe shumë rezerva nafte e gazi të paeksploruara në thellësi.

Së fundmi, si rrjedhojë e përplasjeve mbi sovranitetin e këtyre territoreve, marrëdhëniet ekonomike midis dy superfuqive aziatike janë dëmtuar ndjeshëm, me një sërë bojkotesh, protestash e kundërprotëstash të mbajtur në të dy vendet.

Top Channel