Mbyllet gjyqi Kadare-Hoxha

28/09/2012 19:10

Ështe mbyllur shqyrtimi gjyqësor për çështjen e dorëshkrimit orgjinal të librit “Dimiri i Vetmisë së Madhe”, mes shkrimtarit Ismail Kadare dhe të paditurës Nexhmije Hoxha.

Gjatë seancës së radhës avokatja e Kadaresë deklaroi se Nexhmije Hoxha ka gënjyer në dy momente, së pari kur ajo thotë se ka komunikuar me ish-drejtorin e arkivave, njëherësh dhe biografin e Kadaresë, për dhënien e dorëshkrimit.

Ndërkohë që të kundërtën, thekson ajo, tregojnë një sërë dokumentash që flasin se Sinani dhe Hoxha kanë pasur një letërkëmbim mes tyre, ku në fund e veja e diktatorit nuk ka pranuar të japë dorëshkrimin orgjinal.

Sipas avokates, një moment tjetër është edhe fakti në të cilin Nexhmije Hoxha në librin “Jeta Ime me Enver Hoxhën” ajo tregon se në 17 tetor 1972 është takuar me Ismail Kadarenë. Në libër jepen shumë detaje rreth takimit, por nuk flitet për një dhurim të dorëshkrimit.

Ndërkohë që sipas avokates, në një intervistë në një gazetë të përditshme, Nexhmia pretendon se dorëshkrimi i është dhënë pikërisht në këtë datë nga Kadare.

Nga ana e tij avokati i të vesë së Enver Hoxhës theksoi se janë të vendosur që çështjen ta zgjidhin privatisht dhe se janë të gatshëm që dorëshkrimin t’ia dhurojnë arkivit të shtetit, por jo Ismail Kadaresë.

Gjyqtari Bledar Abdullai u shpreh se përfundon këtu debati gjyqësor mes të dyja palëve dhe më 3 tetor, ato duhet të paraqesin me shkrim konkluzionet përfundimtare lidhur me këtë çështje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA