Ish-kryeministri i Malit të zi, Milo Djukanoviç, përgënjeshtroi akuzat e korrupsionit, në lidhje me privatizimin e kompanisë shtetërore të telekomunikacionit, gjatë mandatit të tij.

I hetuar nga një komision hetimor parlamentar, Djukonoviç deklaroi se nuk ka evidentuar asnjë parrullsi në procesin e privatizimit dhe theksoi se shteti ka përfituar shumë nga ai investim strategjik.

“Nuk shoh asnjë shenjë korrupsioni sepse nuk ka pasur asnjë gjë të tillë gjatë privatizimit të “Telekom”-it. Gjithçka është bërë në përputhje me ligjin”, deklaroi Djukanoviç.

Ish-zyrtarët qeveritarë, Branko Vujoviç, Darko Uskokoviç dhe Veselin Vukotiç, të cilët gjithashtu përballen me akuza, kanë përgënjeshtruar ekzistencën e një afere korruptive.

Rasti i privatizimit të “Telekom”-it u vendos në qendër të vëmendjes në fillim të shtatorit në vendin fqinj, pasi një dokument i autoriteteve financiare amerikane raportoi një ankesë të “Deutsche Telekom”, në lidhje me rryshfetet që filialit të saj hungarez, “Magyar Telekom”, i ishte dashur të paguante tek politikanët malazezë për të realizuar privatizimit.

Sipas dokumentit, një shumë prej 7,35 milionë eurosh kishte shkuar në xhepat e politikanëve.

Top Channel