Francë, digjet kampi i romëve

28/09/2012 15:20

Një grup vullnetarësh shpërngulën me dhunë disa dhjetëra romë nga një kamp i tyre pranë Marsejës, përpara se t’i vinin zjarrin tendave dhe kasolleve të romëve.

Policia informoi të premten se ka vendosur të hetojë incidentin, por saktesoi se mbi 35 romët nuk kanë shenja dhune, pasi pranuan që të largoheshin kur iu kërkua.

Së bashku me vendbanimet e përkohshme, djegia shkaktoi dëme materiale, pasi u dogjën mobilje dhe orendi të tjera.

Rezidentet e zonës pranë kampit të romëve ishin ankuar më parë në bashki për rritjen e vjedhjeve në lagje, duke fajësuar për këtë pikërisht banorët e atyre tendave.

Caroline Godard, një anëtare për të drejtat e romëve, deklaroi në një television kombëtar se “është tmerruar” nga shpërngulja e dhunshme që iu bë dhjetëra banorëve në Marsejë.

Ajo i kërkoi autoriteteve që të zbatojnë ligjin në mënyë të barabartë për të gjithë.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 15 mijë romë jetonin në kampe të paligjshme në të gjithë Francën gjatë verës.

Shumica e romëve, me kombësi rumune apo bullgare, kanë shijuar lëvizjen e lirë brenda BE-së për t’u shpërngulur në vende më të zhvilluara europiane.

Top Channel